Ti sapo ke filluar rrugëtimin tënd të parë drejt dijes, dhe unë jam kaq e lumtur dhe entuziaste për të gjithë gjërat e reja që do të mësosh dhe gjithë ëndrrat e bukura që ti do realizosh, nëpërmjet tij.
Dije, që nuk ka limite në cfarë mund të bëhesh e të krijosh me mendjen tënde të bukur, s’ka kufinj imagjinate që s’do mund të arrish me zemrën tënde guximtare, dhe s’ka qëllim që s’do mund të arrish me punë e përpjekje.
Bota është një vend i bukur, e ka aq shumë gjëra të cilat do mund t’i zbulosh nëpërmjet të lexuarit e mësuarit. Shijoje sa më shumë këtë fillim! Mëso sa më shumë gjëra dhe ndaji njohuritë me njerëzit e tu të zemrës, se ashtu është edhe më lumturuese.
Pushtoje botën, Ado! Udhëtoje atë me çdo faqe libri, e më vonë shëtit pafund vendeve të reja. Mos rresht së ëndërruari për të gjitha gjërat e bukura që do realizosh, për ta bërë gjithçka rreth teje edhe më të bukur.
Të uroj nga zemra një vit të mbarë shkollor dhe sa më shumë suksese në rrugën e gjatë e të bukur të dijes.