Dhe që prej asaj dite ne nuk folëm më
A thua ndoshta për të folur s’kish?
As nuk folëm, as nuk qeshëm atë ditë
Ndodhi e gjitha shumë rastësisht.
Kjo është, i dashur, e keqja jonë
Që kohë të flasim me tjetrin s’gjetëm
Thjesht ikëm një ditë pa folur, pa qeshur
Dhe pa folur, pa qeshur, ashtu mbetëm.
Dhe që prej asaj dite më nuk kemi folur
Se gjithmonë njëri tjetrin kemi kuptuar
I dinim të gjitha në kohë ne, i dashur
Ndaj tani është koha jonë, për tu harruar.
Dhe më nuk kemi folur prej asaj dite
Po pamjen time në mendje e ke?
Pas asaj dite kur as folëm, as qeshëm
Nuk folëm, dhe harruam pse.
Në rrugë më ndalo po më pe ndonjë herë
Thuamë të gjitha që doje të thoje
Sa shumë që ngjajmë, i dashur, të dy
Sa shume që ngjajmë brenda kësaj loje!
No comments:
Post a Comment