Wednesday, August 24, 2022

Ditar

 Dëgjova, ca më parë, në internet, një fjalim të shkurtër motivues (për të cilat ndonjëherë e tall me shaka veten). Dhe këshillonte, zotëria që fliste, të nxiteshim të tregonim më shumë nga vetja jonë, nga çfarë kemi jetuar, nga çfarë mendojmë, nga çfarë na mbush zemrën e na bën të lumtur, a nga çfarë na bën të ndihemi më shumë të gjallë. Vetëm kështu (sipas tij), do të mund të njihemi dhe përballemi me pjesët tona më të brishta, e sidomos me ato më artistiket.

Vazhdova të mendoja pak më gjatë sesa thjeshtësia dhe bukuria që përdori për të shpjeguar, se si duke treguar ca nga vetja, do të na ndihmonte më shumë për ta kuptuar realisht atë. Përse të gënjej kot, e të them që nuk më preku? Ishte kryekëput e kundërta. 

Ishte për mua aq frymëzuese ta dëgjoja, sa që nxitimthi ndërpreva çfarëdolloj pune që kisha në dorë, për t'i dhënë kohën e duhur UNIT tim (aspak më vonë se tani), që të më fliste. E sakaq ta dëgjoja se ç'kishte për t'i thënë anës tjetër të tij.

Kështu, nisi të krijohej kjo ligjëratë, pikërisht kjo, që po lexon (e të cilës dëshiroj t'i rikthehem vazhdimisht për ta kujtuar)... 

Dhe kuptova, se gjithçka dëshiroj të tregoj, je Ti!

Ti.

Sunday, May 8, 2022

Si është e mundur?

Si është e mundur, që koha që zgjatet për t'u afruar te ty, është kaq e mundimshme, krahasuar me kohën që fluturon sa hap e mbyll sytë, kur të kam pranë? 

Si është e mundur, që duart e mia e kanë mësuar ndjesinë e lekurës tënde dhe majat e gishtave ta njohin aq mirë portretin e fytyrës, milimetër për milimetër? 

Si është e mundur, që buzet e mia e kërkojnë shijen tënde dhe aroma që ndiej sa herë që pushtohem nga krahët e tua, më thërret gjithmonë e më shumë me tinguj shtëpie? 

Si është e mundur, që edhe pse ndodhesh kaq shumë larg mureve të mia, mua më lind gjithmonë në shpirt dëshira  që të të rrëmbej nga vendet ku ti je e të të vendos rreth perimetrit tim? 

Më shpjego të lutem, si ka mundësi, kur edhe pse të ndiej si pjesë të pandashme timen, në të njejten kohë për ty ndiej kaq shumë mall? 

Si mundet?


Wednesday, December 1, 2021

Pak më shumë xhan

Ka një hapësirë midis nesh,
Të cilën unë e mbush me shkronjat e tua,
Me fjalët e formuara prej mëngjesit në darkë
E prej darkës me ëndrra ta kaloj, dua.
 
Ka një hapësirë, e cila mbushet
Me qetësinë që zemrës sime i fal.
Një hapësirë, që sa herë të shoh fytyrën,
Apo sa herë të prek e të ndiej pranë, ndal.
 
Ndaj, derisa të rresht së ekzistuari hapësira,
Që fizikisht të dyve pak më larg na mban,
Une i kujtoj vetes sa e lumtur jam, prej teje
Dhe e zbeh largësinë, duke të patur pak më shumë xhan. 

Ngjyrat

Ti vjen te unë si një telajo,

Plot ngjyra që më parë s'kisha shquar

Kur unë kam krijuar një pikturë tjetër,

Me ngjyra të tjera zhgarravitur a miksuar


Dhe m'u vendose para syve kaq hijshëm

E të shijova në heshtje kaq habitur

Nuk e dija që bluja dhe e bardha e dikujt

Do ngjanin kaq bukur me tjetrën ngjitur.


Nuk dija, se e e verdha dhe e zeza ime

Këto ngjyrat e tua kaq shumë do donin

dhe jo për t'u kthyer në jeshile as në gri

Por në krah të njëra-tjetrës të qëndronin


Dhe kur t'i shohin të tjerët vendosur në mur

Të kuptojnë se sa shumë u dëshiruan

Këto piktura që duken kaq bukur përbri

Këto piktura që për tjetrën, veten s'e ndryshuan.

(por plotësuan)


Saturday, September 7, 2019

Mirënjohje, të panjohurit

Njeri, që kurrë më parë nuk të njihja, që kurrë më parë s'të kisha takuar (në këtë botë). Ty, që kurrë më parë nuk ta dija formën, as zërin e as fuqinë që ndoshta të karakterizon.

Unë, që kurrë më parë s'e njihja qënien tënde, që s'ta kisha ndjerë praninë dhe s'isha rrethuar nga energjia jote... Sot, të takova!

Të takova në një kohë kur ti ke pasur mundësinë për të qenë kalimtar i shumë jetëve të tjera, jetë shumëngjyrëshe, përpara se të ndaloje kaq hijshëm tek imja. Të njoha sot, për dy minutat e para dhe mbase të fundit të jetës sime. Dy ndër më të bukurave minuta, ku ti zgjate dorën dhe formove fjalë që më prekën shpirtin.

Faleminderit! Dhe e bekuar qoftë ekzistenca jote, që mundi t'i shtonte pavetëdijshëm lumturi simes.

Tuesday, July 31, 2018

Ndaj pres!

E kam nisur disa here kete leter,
E kam shkruar me miliona here ne menjde, e kam ndryshuar, e kam tjetersuar, e kam djegur, e kam harruar dhe ja ku po e rishkruaj, duke shpresuar qe te marre formen e duhur...formen qe do te me jap mua qetesine, formen qe do te te jap ty shperberjen e entuziazmit ne anen time te majte, ose te te mbysi ajrin nga levizja e flatrave qe ke brenda meje dhe te te fshije nga endrrat e mia te mundimshme te nates ...

Shkruaj pambarimisht fjali e paragrafe, dhe thur neper mendje kaq shume kumtime ku i flas dritares vazhdimisht me shpresen qe nje dite dera do te degjoje... Dhe mendoj se t'i them te gjitha, bind veten se perfundimisht kjo ishte hera e fundit qe brenda meje po te shpjegoja gjerat qe duhet t'i degjosh/j, me idene qe ne kete vorbull perseritese e genjeshtare, te vije dita qe une te te percjell nga ku ndodhesh. Dita qe do te zbehen ngjyrat nga syte e mi, e do te te tretet imazhi neper ajer!

Ndaj pres...

Thursday, May 31, 2018

Une (s)di

Une pretendoj se di cfaredolloj gjeje per ty.

Une di kur ti ke lindur, per shembull, sepse dita jote e lindjes eshte njeherazi dhe dita ime me e gezuar. Njoh te gjithe pjesetaret e familjes tende, ketu dhe atje, tani ose jo. Njoh cdo kujtim femijerie qe ti ke, se te gjitha jane historite me te preferuara te miat.

Une njoh me emra dhe detaje cilindo shok a shoqe, njoh cilindo koleg apo kolege. Une mund ti njoh kudo syte e tu, sepse jane syte qe i shoh cdo dite para pasqyres. Une di cfare te pelqen te gatuash, madje dhe c'te pelqen te hash. Une di rutinen tende te cdo mengjesi, di ritualet e tua te darkes.

Une arrij te shquaj se kur ty te dhemb koka, ose dalloj se cfare te bezdis me shume kur jemi te rrethuar me te tjere njerez, une i shquaj te gjitha. Madje une kujtoj fjalet qe ti permend me shume, shprehjet qe aq shpeshtas i perdor ne komunikimet e tua te perditshme, se jane pashmagshmerisht dhe fjalet e mia.

Por ndonjehere une harroj se cfare ke veshur, se cila ishte e fundit fjale qe me the apo harroj te shikoj shkelqimin e syve te tu te paqte per gjerat qe ty te bejne te lumtur...dhe hidherohem!