Sunday, November 17, 2013

Mall

Jam kaq larg teje, kaq larg sa eshte e frikshme ta mendosh. Dhe ne fakt, mundohem qe te mos e mendoj çdo dite. Mundohem te mos e mendoj fare largesine dhe imagjinoj se si DJE ka qene dita e fundit qe jemi takuar, perqafuar, kemi folur. Aq shume, sa duket e vertete, sa kam genjyer mendjen aq keqazi...

DJE ishte dita e fundit kur u pame, kur folem per gjera krejt te zakonshme, krejt te panevojshme. Dje ishim moskokeçares ndaj mallit, atij malli qe une duhet ta ndieja çdo dite e me shume, qe do me mpinte trupin e mendjen deri sa te te degjoja zerin e te te shihja fytyren.
Malli qe duket sikur eshte zhdukur aq sa frikesohem nga vetja, dyzohem, dyshoj se ne te vertete nuk ndodhet aty, se nuk ka nevoje per buzeqeshjen tende.

Nuk kam mall per ty, derisa te shoh diku nder foto te vjetra, lexoj emrin tend te paqene nder rreshta te ndonje libri dhe kuptoj se Sa shume qe me duhesh!!!

Sunday, October 20, 2013

Me ndiq

Te lutem, me ndiq,
Ne rruget e gjata te mendjes e shpirtit tim, qe duan vetem te ikin sa me larg. Rrugeve te qyteteve te panjohura te cilat priten te shihen.

Me ndiq,
drejt ndjenjave te reja, ndjenjave te ndryshme, ndjenjave te çmendura, vetem me rri prane. Te rrime sa me prane!

Ji me mua,
ne labirinthet dhe udhekryqet qe do na nxjerre jeta, me ty ndoshta zgjedhja eshte me e lehte. Ose me mire, me ty lehtesohet dhe zgjedhja me e veshtire.

Me ndiq te lutem,
ne rrugen time drejt teje, ne rrugen drejt shikimit tend te ngrohte, drejt buzeqeshjes tende. Le te qendrojme se bashku derisa te gjitha keto, te behen e perditshmja ime dhe te largohem s'do te ndiej me nevoje.

Friday, October 4, 2013

Ti

Je vrulli im me i madh i çmendurise. Je nje dehje e here-pas-hershme nga e cila nuk mund te zgjohem kurre esell. Je nje helm i embel per mendjen time dhe nje tufe aq e madhe lumturie ne te njejten kohe. 

Ti!
Je e mira ime, ne te keqen me te madhe. Je pjesa me e bukur qe mbaj me vete, por pjesa me e paarsyeshme. Je nje enderr qe eshte bere realitet, je dashuri e vetvete.

Ti!
Nuk je kurrsesi si dashurite e tjera, je nje dashuri qe do nje tjeter emer, nje emer me te paster. Se ti je ndoshta nje nga gjerat me te pasterta te botes sime! 

Je pranvere, vere, vjeshte, dimer. Ti je shprese, shprese per nje UNE me te mire por kurrsesi nje UNE qe mund te ngjasoje me TY, sepse sado qe te dua une... Ti, je vetem nje ne kete bote.
Je familje e gjithe per mua saqe kur thone se do kaloja boten per te te gjetur e kerkuar, une vertete qe do e beja.

Ti!
Je guximi per te perballuar gjithe frikerat e mia, ne nje kohe kur je dhe frika ime me e madhe.


Thursday, August 1, 2013

1 Gusht

Sot, supozohet te jete dita ime me me fat. Sot, supozohet te jete nje nga ditet e mia te lumtura, keshtu thone. Sot, supozohet gjithçka e mire, supozohet...

Sot ama, nisi gjithçka shume mbrapsht, ashtu siç asnjehere nuk do e deshironte askush. Fundja ne nje dite e zakonshme, si kjo, e vetma gje qe deshiron te besh eshte te qetesohesh, te largohesh sa me shume vendimeve te medhaja, sa me shume t'i largohesh vetes.

T'i largohesh kesaj merzie, kesaj merie qe te kap ndaj gjendjes tende, ndaj rrethanave te tua. Njeriu nuk duhet kurre t'i merzitet rrethanave te veta, sepse ato jane qe e krijojne ne vetvete, e siduket une ndiej meri ndaj vetvetes, sot me 1 Gusht... dita qe supozohet te jete nje fillim te ri, nje fillim i larget.

Por, ne kohen qe e deshiroj fillimin e larget kaq shume, ky vend duket sikur nuk po me lejon qe te iki!

Saturday, July 27, 2013

Harresat

Frika ime me e madhe jane harresat,
Harresat e momenteve te bukura, harresat e koheve te jetuara, harresat e njerezve te rendesishem. I kam frike te gjitha!

Kam pershtypjen se jo vetem une, te gjithe i kane frike harresat. I druhen faktit, qe nje dite, pakuptuar nuk do jene me aq te rendesishem ne jeten e tjetrit, o ndoshta do te fshihen fare nga kujtesa e ca te tjereve, ne nje kohe qe ne mendjen e tyre ngelen te gjalla te gjitha momentet.

Te gjithe ruhen nga harresat, ndaj dhe perpiqen qe te lene nje shenje ne jeten e te huajve, te rastesishmeve, kalimtareve, banoreve te perkohshem, shoqeruesve te perhershem... dhe perpiqen aq shume te jene te kujtuar sa harrojne te kujtojne, te kujtojne ndjekesit e tyre, ata qe perpiqen njesoj si ta per te lene gjurme.

Edhe ti harrove, duke levizur lart e poshte ne jete te reja, ne jete te tjera dhe duke lene pas mua!
E sado e dhimbshme qofte une kuptoj ama, kujtoj e pyes veten se sa te tjere si une ka, qe perpiqen te rrine perjete ne memorien tende?

Wednesday, July 24, 2013

Ne, dime

Sepse une e di, qe ndonjehere ti, pakuptuar e padashur e leshon veten ne merzine e momentit. Pastaj merzia e momentit kthehet ne merzi te dites dhe merzia e dites kthehet ne merzi te kohes, duke te bere te humbasesh ate çast qetesie qe mendoje se kishe, ate çast qetesie qe do doje te kishe, ate qetesi qe duhet te kishe ose ate qetesi qe meriton te kesh.

Une e di!

Ti do e leshosh njehere veten, pakuptuar e padashur duke harruar se sa kohe te duhet per t'u ngritur perseri, duke lejuar qe nje moment i vetem merzie te te shkaktoje kaq shume...
Do e japesh veten ne nje çast dhe do i shkaterrosh te gjitha, te lutem mos e bej!

Sepse edhe ti e di, qe ti mundesh me shume, ti di me mire se aq, ti deshiron te meritosh ca me shume kur e verteta eshte qe meriton akoma me teper. Ti, do te perpiqesh, do harrosh perpjekjen e do biesh. Do çohesh e do perpiqesh perseri, se keshtu je ti! Do çohesh, sepse nuk e do nje jete me pendime, nje jete qe do te bente te pakenaqur ca minuta, dite, e kohe me vone. Ti nuk e do nje te atille jete, ndaj mbaje gjithmone ne mendje kete, qe te ngrihesh perseri.

Dhe kujtohu... se gjithmone duhet te ruhesh nga ai i vogli çast i merzise.
Te lutem, kujtohu!

Wednesday, June 26, 2013

U lodha

U lodha,
kaq shume nga vetja ime. U lodha dhe nuk e kuptova se si. Vetem nje dite m'u shfaq mbi supe kjo lodhje e madhe qe s'di as qysh e as si erdhi. Te lodhesh nga vetja, eshte dhimbja qe te keput te gjitha fuqite (perfshire ose jo ato fizike) dhe te pengon te shikosh qartazi, te shikosh me optimizem, te shikosh me shprese. Per me teper, mungesa e kesaj te fundit eshte aty ku arrin kulmi me i larte i lodhjes, e sidomos asaj nga vetja jote.

Une jam lodhur, jo sepse kam patur ne jete ngjarje aq negativisht te rendesishme qe te me ulnin neper humnera, perkundrazi lodhja ime eshte nje trajektore rritese, qe me shpie vazhdimisht lart, duke me pregatitur hedhjen me spektakolare (ne nje kohe qe une i urrej lartesite). Une nuk jam lodhur nga keto gjera, jo! Jam lodhur nga ato gjerat e vogla, ato qe i konsideron te parendesishme, dhe ndoshta jane te parendesishme, por qe te shkaktojne bezdine me te madhe, sepse jane ato qe te bejne te turperohesh nga arsyet e kota te keputjes morale. Por une dua ti respektoj keto vogelsira edhe pse vazhdimisht refuzoj t'ia pranoj vetes.

Nga vetja ime, mendimet e mia, frikerat budallaqe, deshirat e parealizuara, durimi i sosur, merzitja e pakuptimte, pertacia e pashoqe, mungesa e motivimit.
U lodha, edhe nga te shpjeguarit jam lodhur!

Monday, June 10, 2013

Zenkat

Zenkat jane gjithashtu nje menyre shume e mire nga e cila nisin genjeshtrat. Secila zenke eshte si ajo lloj genjeshtre qe je mesuar gjithmone t'u thuash njerezve "Jam mire", duke e ditur padyshim qe ose eshte kryekeput e kunderta, ose perton te japesh sqarime te teperta ne rastin e nje pergjigjeje te ndryshme. Dhe pyetesi, edhe ai e di shume mire se si eshte e verteta, e di qe ne shumicen e hereve do te marre nje pergjigje te pavertete dhe gjithsesi vendos te pyese "Si je?", pa u shqetesuar me vone nga genjeshtra e shumte qe ka marre si pergjigje. Si duket ky ritual kryhet sikur te jete nje detyre e mirecaktuar njerezore: te pyeturit e percipte dhe te pergjigjurit e pacipe.

Keshtu jane edhe zenkat, jo domosdoshmerisht te percipta ne fillesat e tyre, po padyshim te pacipa gjate perfundimeve. Gjate perfundimeve, ku ti dorezohesh nga debati, nga ngritja e nervave, nga merzia e teperuar dhe kerkon t'i shmangesh diskutimit me te larguar. Ndersa ne fund, i paqendruar per deshiren e nje takimi te afert apo jo ne nje kohe tjeter, genjen paturperisht me fjalen "Mirupafshim" duke e ditur si kristali qe po u ritakuam nuk ka asesi mundesi qe te jemi MIRE (te pakten jo ne fillime) dhe kur vete ti nuk je i sigurt ne do SHIHEMI!

Ne jemi diçka ndryshe, e dije?


Ti, je i vetmi njeri i botes, te cilit mund t'i flas papushim dhe te mos lodhem. Je i vetmi njeri i botes qe gjithmone do gjej diçka per t'i folur, sepse edhe budallalleqet e folura me ty, jane te rendesishme. Budallalleqet e folura me ty, me bejne te kuptoj qe nuk jam ndryshe ne kete jete, siç me pare mendoja se isha.

Ti, je i vetmi njeri i botes, qe mund t'i them pa druajtje te gjitha dhe te mos pendohem. Sepse, sa here qe une te them diçka, me ben te kuptoj qe nuk jam e vetmja e krisur ne kete vend, siç besoja se isha me pare.

Je i vetmi njeri i botes, qe edhe pse nuk me kupton ndonjehere, mundohesh, i vetmi njeri i botes qe ke durimin te degjosh, qe ke zemergjeresine te pranosh qe une jam tjeter, por se bashku behemi nje. 

Ndersa une jam ndoshta i vetmi njeri i botes qe rralle here me mbarojne fjalet kur jam duke biseduar, por kur vjen puna te ty... Ti je diçka qe nuk mund te pershkruhesh!!!

Dhe ne qofte se do te me rreshtin ndonjehere fjalet, do gjej shtrengimet e duarve per te biseduar me ty sepse edhe ashtu dime te kuptohemi.
Se ne jemi diçka ndryshe, e dije?

Thursday, June 6, 2013

Jemi njohur per t'u njohur


Ngandonjehere me ben aq shume te dyshoj sjellja jote, sa qe mundohem te largoj krejt mendimet e keqia qe te mos e ndryshoj pamjen tende ne perfytyrimet e mia. Perpiqem aq shume me raste, sepse do ishte shume pikelluese te zbuloja ndonje te vertete te pahijshme. E ndoshta ky eshte i vetmi rast i jetes sime, i vetmi moment ku une do te parapelqeja me mire genjeshtrat per te jetuar e qete sesa ate te vertete te ciles aq shume i druhem.

Sa zhgenjyese do ishte, te zbuloja qe arsyeja kryesore qe u njohem ishte diçka qe nuk ka te beje me spontanitetin apo rastesine e bukur, edhe pse ti vete dikur me pate thene qe ne kete bote besoje qe nuk ekzistonin rastesi... Sa derrmuese do ishte ideja per mua, qe te dija se njohja jone, me pas kjo perzemersi kaq e madhe qe mesova te te kem me vite, kane nisur nga nje arye tjeter sesa vete njohja jone. Kjo eshte  frika ime me e madhe! Te di qe ne nuk u njohem per t'u njohur se bashku, ne u njohem per t'u njohur me te tjere!

Me ndodh te bisedoj vazhdimisht me ata qe njohem rruges, dhe u tregoj se sa shume e deshiroj qe ky mendim te me largohet nga vetja sa me pare, edhe pse ti vete dikur me pate thene qe ne kete bote te besoja ndjenjat dhe mendimet e mia te para... Une nuk i besoj mendimeve te frikshme, nuk dua t'i besoj as ketij!

Oh, sa aq e padeshiruar tingellon tani ideja qe ne jemi njohur per nje tjeter qellim... Ne patjeter duhet te jemi njohur per t'u njohur!


Wednesday, May 29, 2013

Te kam treguar ndonjehere?

Te kam thene ndonjehere se cila eshte dhembja me e madhe? Ta kam permendur ndonjehere? Ate dhembje qe te godet gjithmone tek po i njejti vend papushueshem. Qe godet aty ku supozohet te jete pjesa jote me e forte, pjesa jote me e fisshme. 
Prandaj dhe kur lendohesh pikerisht aty, me shume se sa therja e forte, te lendohet forca, te ultohet krenaria. Te dyja keto jane si oficeret qe mbrojne mbretin o mbretereshen ne nje loje shahu. Ndaj per ti mbrojtur ose te ndodh ti sakrifikosh ose ti perdoresh bindshem. Sepse dashur padashur jeta vete eshte loje shahu ku nevojtitet te jesh vigjilent per te mbrojtur,ate, vendin me te kujdesshem.

Te kam treguar ndonjehere se ç'ndodh kur shkulet çfaredosendi qe ka brenda? Te kam treguar ndonjehere sa dhemb? Me shume se dhembja e dhembit qe ankohesh vuajtshem se te le do nete pa gjume, dhembka shume me shume...

Epo, s'jane gje keto do thuash. Do betoheshe ndoshta qe dhembja e veshit do ishte me e tmerrshme. Ke ca te drejte ne fakt, ketu! Po me lejo te te them se çfare dhemb si dreqi ... Eshte kjo pamundesia ime qe nuk me lejon te te lendoj dhe ty po aty, po aq rende, po aq forte sa te bindesh qe nje shqetesim veshi a dhembi, jane veç shqetesime. 

Te kam treguar ndonjehere...

Friday, May 17, 2013

Te njejtet


Sepse ngadonjehere te ndodh te te merzitet bota! Madje, bota jo! Ndodh te te merzitet vendi ku je. Madje dhe vendi jo! Ndodh te te merziten njerezit. Madje jo te gjithe njerezit! Ndodh te te merziten ca njerez.
Sepse ngadonjehere e ndjen qe sa me shume kohe kalon, aq me shume te shembellen vetja me te gjithe! Siduket, sa me shume te rritet ne moshe njeriu, aq me teper i humb e vecanta, e ndryshmja, vetja! Siduket, sa me shume te kaloje koha, aq me shume perngjasohesh! E kupton me ne fund se te pakte jane ata qe i mbijetojne unifikimit, shumezimit. 

A nuk te eshte dukur kurre vetja i ngjashem me tjetrin? A nuk ke menduar ndonjehere se cfare po ben ndryshe? A po ben ndryshe? A nuk te eshte dukur ndonjehere?
A e ndien veten se vetvetiu beni te njejtat gjera, shpesh edhe pa dashur ti beni? Jeni diku ku nuk donit, por duhet te ishit? Sa here je ndjekur nga ideja e me te pershtatshmes dhe jo nga e me te deshiruares? Sa here ke bertitur rruges se te vjen per te bertitur! Ose sa here ke qare rruges se te vjen per te qare? Sa here ke shetitur naten i vetem, se do qe te largohesh? Sa here ke kenduar rruges i vetem me ze te larte?

Sa here?...

Ke kaluar ndonjehere ne nje turme njerezish edhe je ndiere ndryshe??? 
Epo, kam nje lajm te mire per ty :)
Gezohu!

Tuesday, May 14, 2013

I/e dashur mik/e

Une e di, e di shume mire i/e dashur mik/e se gjitha problemet ne kete bote, sherret, hallet... lindin vetem nga nje gje : 'mungesa e komunikimit'. Perdorimi aq i paket dhe i vaket i fjalorit nga njera ane dhe ai mbivleresimi qe ke te intuita vetjake, te cilen vendos ta perdoresh vetem ne situata te keqkuptimta.

Te gjitha vuajtjet nisin nga mungesa e fjales, nisin nga ajo 'e lexova se çfare tha, por e di se donte te thoshte tjeter' duke pertuar nga njera ane te behen sqarimet perkatese foltore, duke lene gjithçka pezull dhe duke bere qe te leje gjithmone per te deshiruar nje situate e tille.

Dhe pyes ndonjehere veten, (dreqin!) kaq e vogel kishte qene konsiderata e perbashket sa te largohemi ne te tille menyre nga mungesa e ligjerimit, nga zhdukja e sqarimeve?! Kaq pak rendesi do i kushtojme ngahera vetes, sa do i leme pas dore te gjitha fjalet qe leshojme nga goja dhe do t'i perkushtohemi seriozisht te mbyllurit te gojes ne vetvete? A nuk te vjen keq edhe ty?
Te gjitha problemet tona nisen nga mungesa e fjaleve...

Atyre fjaleve qe dikur dukeshin sikur s'do u vinte kurre fundi, po qe shteruan pa kuptuar nje dite.
Me vjen keq, i/e dashur mik/e sepse nuk folem, ne ate kohe kur te shpjeguarit dhe treguarit ishte pasioni yne!!!


Tuesday, April 23, 2013

Ti je e bardha


Ti je e bardha,
E bardha qe shoh sa here shkruaj ne leter,
E qe mundohem ta mbuloj me qindra fjale
Por perseri s’mposhtesh nga ngjyra tjeter.

Je e bardha e bores,
Qe vjen lehtas per te pastruar token
Nga ngjyrime te zbehta e pa jete
Nga  nunanca qe te lodhin koken
Dhe qe ne rruge e qytete ndalet
Ne menyre qe cdo gje “te pastroje”
Ti je e bardha e bores,
Qe mbi ngjyra te tjera di te qendroje

Nuk je e bardha e sheqerit
Se e bardha e sheqerit tretet
Je e bardha e reve
Qe mbi blu-ne e qiellit di te mbetet

Ti je e bardha me e bardhe,
Mbi veten time plot ngjyrime
Ti je e bardha me e bardhe.
E bardha qe me shume dua ne jeten time!

Saturday, April 20, 2013

I dashur Sid'


Sikur te ishte bota aq e thjeshte sa dhoma jone…

E vogel shume per permasat e tua por e madhe mjaftueshem per te dy bashke, e lehte per tu bere rremuje ne pak sekonda por po aq e lehte per tu rregulluar. Dua vetem ta dish se kudo qofsh apo qofsha do jete bota ime, me po te njejtat ligje. Do jem ngahera aty per te palosur teshat e parregullta qe le mbas, apo ajo qe do te bertas vazhdimisht qe t’i levizesh vete corapet e tua, por gjithsesi do çohem me furtune merzie ti marr e ti largoj. Do jem ngahera aty, per te tu ankuar qe nuk e shtrove ndonjehere per mua krevatin siç une e pergatis tendin dhe do te te mbaj meri dhe per kete, nderkohe qe te nesermen do te te pergatis shtratin si gjithmone. Do te te shaj, e di, kur me nerva ti me kerkon te fik driten pasi ke nevoje per gjume po nuk do ankohem asnjehere kur ti vendos ta lesh ndezur nderkohe qe une perpelitem per pak qetesi perpara ndonje diteje te lodhshme. Do jem me ty, sa here te te tiposet nates te kerkosh uje per te pire, te te ngre jorganin kur te ndodh te zbulohesh apo te te perqesh e ngacmoj kur te bisedosh pavetedijshem ne gjume… dhe do te betohem te me besosh se sidoqofte s’do doja nje dhome veçmas teje, ashtu siç nuk do deshiroja kurre nje bote veçmas teje.

Sepse bota eshte e thjeshte kur ti je aty, bota eshte si dhoma jone. 

Sunday, April 14, 2013

Ti ke ndryshuar


Ti ke ndryshuar! Te jane zgjatur floket ( te shkojne shume edhe keshtu), ke marr nje tjeter hije. Here here  me ngjan pak me e gjate, pak me e shkurter, pak me e afert, pak me e larget. Sikur te ndryshon edhe pamja ndonjehere, sikur zvogelohesh e rritesh aq shpejt sa nuk mund te te ndjek e te te kuptoj me kohe. Edhe ngjyra e lekures eshte tjeter, siduket edhe ajo ndryshon sa me shpesh te rrezatohet nga dielli, por sikur kete here edhe ngjyra e lekures te kish ndryshuar!

Sa ndryshe qe me dukesh! Edhe buzeqeshja te eshte tjetersuar, ose te eshte shtuar nje buzeqeshje e re. Nuk e di! Edhe shikimi, edhe ai eshte tjeter, edhe menyra e te ecurit, eshte pak me e ngathet, edhe te qendruarit, me i sigurte ne vetvete e me i drejte!

Ndersa ajo e cila mendoj une se ka ndryshuar me teper eshte te folurit, te sjellurit, te ndjerit. Ndryshimi total i fjalorit, menyra e komplikuar e komunikimit dhe ajo lloj ftohtesie veprimi qe eshte krejt e kunderta e atyre qe te krijonin. Dreqin, keto nuk duhet ti largoje!
Po, po! Ti nuk je me e njejta! Ose … une jam tjeter.

Une, Eva


Ndodhem ne kopshtin ku mekati ndodhi
E njejte dhe une si ne historira,
Midis zgjedhjes per njeren apo tjetren rruge,
Midis arsyes nga njera ane dhe anes tjeter, deshira.

E gatshme per te rrezikuar, duke e mireditur
Por mosbesuese ndaj fatit qe me vone do te vije
Ne dileme, po e pushtuar brenda nga tundimi
Duke pritur per dike qe nder flake te me shtije...

Do denohem. E di!
Do me quajne Eva
Tradhetare do me flasin se e meritoja.
Do i degjoj ama, dhe do u pergjigjem po u desh puna

Do u them: Mollen ta kafshoja, vete doja!

Friday, April 12, 2013

Mengjesi ndryshe


Te ndodh dhe jo rralle kjo, qe te zgjohesh ne mengjes ndryshe! Te çohesh, edhe hutueshem te ndiesh se vetem aty ku je nuk duhet te ishe! Te ndodh!!! Leviz gjithe pertese kembet, pa e ditur se ku te çojne, thjesht i le te te shpien aty ku ato duan, rruge e shkurter kjo qe ishte mesuar permendsh, ne ate shtepi fare te vogel. 

Eshte mengjes i ri! Eshte ndryshe, thua. Eshte vertet ndryshe! Nderkohe qe i ke lene kembet edhe te gjitha pjeset e trupit te levizin ne menyren qe ato deshirojne, sheh qe pa arsye, ashtu kot, ben ngahera te njejtat gjera...po mengjesi i sotem, seç me duket krejt tjeter, krejt i huaj, krejt i panjohur.

Do doja faktikisht qe te dilja, te shetisja! Ti lija perseri kembet, pa zot, te me shpinin kudo tutje! Si dihet, mbase keshtu do te gjeja nje tjeter vend ku te strukesha, te rrija gjate te mendoja edhe te ndihesha si ne shtepi! Ose, te shkoja ndoshta ne kerkim te vetes sime, qe cuditerisht kishte humbur vetvetiu gjate nje nate. Ku humba???

Prita... duke qendruar e heshtuar mes atij ambjenti derisa degjoj zhurmen e deres te hapet.
E pashe, ate fytyre te pergjumur, po kurrsesi me pak te hutuar sesa imja, te me buzeqeshte...me ngrohu zemren!
-Miremengjesi V.!
-Miremengjes' shpirt! (shpirt?!)
-Fjete mire?
- Fjeta ndryshe,- u pergjigja. 

Sepse ky mengjes, e kishte dicka te çuditshme brenda vetes, dicka te veçante, dicka te huaj! Por kur e pashe edhe pse u ndieva habitshem, e kuptova qe :
ajo ishte shtepia ime, dhe une isha V. !!!

Saturday, April 6, 2013

Po sikur te me duhesh tani

Po sikur te me duhesh tani?
Si t'ia bej per te te gjetur,
Sikur te me duhesh tani...

Po sikur te me duhesh gjithnje
Ke te gjej per te pyetur,
Sikur te me duhesh gjithnje...

Po sikur te me duhesh cdo kohe
Ke te pyet per te te kerkuar
Sikur te me duhesh cdo kohe...

Po sikur te mos me duhesh me
Ke te kerkoj per te te harruar
Sikur te mos me duhesh me...

Thursday, April 4, 2013

Dhe qe prej asaj dite ne nuk folem me


Dhe që prej asaj dite ne nuk folëm më
 A thua ndoshta për të folur s’kish?
 As nuk folëm, as nuk qeshëm atë ditë
 Ndodhi e gjitha shumë rastësisht.



Kjo është, i dashur, e keqja jonë
 Që kohë të flasim me tjetrin s’gjetëm
 Thjesht ikëm një ditë pa folur, pa qeshur
 Dhe pa folur, pa qeshur, ashtu mbetëm.



Dhe që prej asaj dite më nuk kemi folur
 Se gjithmonë njëri tjetrin kemi kuptuar
 I dinim të gjitha në kohë ne, i dashur
 Ndaj tani është koha jonë, për tu harruar.



Dhe më nuk kemi folur prej asaj dite
 Po pamjen time në mendje e ke?
 Pas asaj dite kur as folëm, as qeshëm
 Nuk folëm, dhe harruam pse.



Në rrugë më ndalo po më pe ndonjë herë
 Thuamë të gjitha që doje të thoje
 Sa shumë që ngjajmë, i dashur, të dy
 Sa shume që ngjajmë brenda kësaj loje!

Kishte ardhur koha


E ndiente se kishte ardhur koha per nje tjeter njeri, per nje tjeter mundesi, per nje tjeter jete, per nje tjeter mendim, per nje tjeter qasje. Kishte ardhur koha per te gjitha keto, kishte ardhur me kohe Koha, po s'kish ardhur menyra.

E dinte se tani ishte momenti, tani ishte casti kur mund te ngrihej kundra gjithckaje, dhe te vendoste ne kyre veten. Ndoshta nuk ka qene asnjehere vendi i duhur, por ora e duhur ka qene, ngahera! Dukej sikur kishte aq shume qe minutat kishin ardhur deri ketu, e pastaj kishin ndaluar... per ta pare si do vepronte.... per ti thene ''He, c'pret me tani, ndryshoji te gjitha!".

Dhe aq shume e deshironte kete fillim te ri, nje fillim te paster, nje fillim te vetin, per veten. Sepse te pakte ishin njerezit qe prane i kishin qendruar, te shumte ishin ata qe kishin ndjekur tjeter rruge dhe te ndenjurit ne te njejtin vend po e pengonte, po e lodhte, po e bente qe te deshironte aq shume ate nisjen e re, por SI?
Asgje nuk dinte, pervec faktin se do merrte veten, e ca te pakte njerez, do i ngrinte me vete dhe do largohej, do ikte, do arratisej nga gjithcka, nga te gjithe!

Sepse thjesht kishte ndryshuar, sepse edhe per kete kishte ardhur koha!

Frika

Njeriu ka frike vetem kur perballet, qofte dhe terthorazi, me humbjen, largimin, tjetersimin a mosqenien. Njeriu ka frike! Frigohet nga zhdukja, nga harresa apo nga kujtesa e mallengjyer. Nga boshlleku, nga eresirra, mosnjohja, largimi. Ka frike, sepse ka dashur aq shume qe te rrije. E sidomos ai çasti, ajo sekonda ku ti imagjinon ti lesh te gjitha pas, ajo eshte me tmerruesja.

Perse do na duhej te largohemi, kur pas leme me te bukurat çaste qe ndoshta dikur do te na prisnin? Edhe nga kjo njeriu ka frike. Nga kjo kam frike! Kam frike se ajo 'e nisa' nuk do vije ndonjehere, dhe me shume se per veten trishtohem per te. Se per te une imagjinoja kohe te bukura!

Wednesday, April 3, 2013

Sot, per te paren here

Sot, si çdo here tjeter u zgjova me ty ne mendje.
E falenderova Zotin qe je ne jeten time, sepse edhe sot si çdo here une pata nevoje per vemendjen tende.

Sot, si çdo here tjeter iu gezova faktit qe te kam njohur, sepse je ndoshta nder te paktat gjera pafundesisht te mira qe me ka ndodhur ne jete. E te kam thene, ti je ndryshe nga bota, veçmas botes... ti je ndryshe!!!

Sot si çdo here tjeter u mundova te tregoj gjithe lumturine time, ku ti si ngahera je nje nder arsyet qe me shtyn te behem me e mire, te mos gaboj (e sidomos me ty). Si çdo here tjeter te kujtova, per te marr prej teje ate pjese te vogel gezimi qe me duhet per te ma zbukuruar diten ose per te pakesuar deshiren dhe mallin e madh qe kam per te biseduar.

Por ti,  si kurre me pare (ndoshta), nuk me kuptove. Dhe me dhemb si dreqi se nuk e dallove qe me shume se çdo kohe kisha nevoje per ate pjese te vogel gezimi per te qene me (e) mire.

Ndaj ndodhi qe sot,
Per te paren here,
une nuk kam deshire te flas me ty ?!

Saturday, March 30, 2013

Vjen ai moment

Vjen ai momenti i plogeshtise se pergjithshme...
Momenti kur je i mbushur deri ne fyt me pune te rendesishme qe presin te çohen perpara, apo ku nevojitet te jesh me aktiv se normalja dhe pikerisht ne te tilla raste mendja rrefuzon te pranoje rendesine e gjithçkaje.

Vjen momenti kur...
Momenti kur do qe te largohesh nga gjithçka dhe nga te gjithe ne diten kur te tjeret duket se kane per ty me shume nevoje se kushdo tjeter. Dhe eshte e çuditshme si per tjetrin e shfrytezon te fundit pike fuqie qe ke, ndersa per veten je krejtesisht moskokeçares. 

Vjen ai momenti i merzise se pakuptimte...
Ose i merzise qe e ka marre kuptimin e vet duke u mbledhur njera mbi tjetren gjithe keto kohe por çuditerisht nuk e kishe pranuar, nuk i kishe kushtuar rendesine e duhur. Ai çasti ku pret qe te mbyllesh diku larg botes e te qash ose te rrish hutuar per te nxjerre ne nje menyre apo nje tjeter gjithe çfare ndodhet brenda.

Vjen koha kur e ke te nevojshme,
E ke te nevojshme t'ia tregosh dikujt te gjitha, pa patur frike nga shikimet e habitura apo pa u bezdisur nga kritikat e keshillat qe nuk do doje ti degjoje ne te tille situate. Por gjithsesi, vjen koha kur nuk merr parsysh asgje dhe kerkon te gjesh dike qe t'i tregosh se ne çfare forme te pakuptimte te eshte shnderruar vetja, dita, egoja, deshira, qetesia, kenaqesia ...

E ne fund vjen momenti kur personi qe u rrek te te nxjerre nga gjithe ajo humnere ku ishe, harron! Harron dhe te shtyn pakuptuar poshte...

Sunday, February 17, 2013

E di

E di,
Qe pas shiut do vije dielli!
E di shume mire!

E besoj qe gjithmone do kete nje kohe timen, qe ose do e ndiej diku ne te ardhmen, ose do e kuptoj qe ka qene ne te shkuaren deri atehere, por nuk me ka ndodhur ta kuptoj ne momentin e duhur. Gjithmone ka per te patur nje kohe timen! Uroj te mos kete qene e shkuara, e pakuptuar.

E ndiej, qe brenda vetes sime nuk jam nje, jam miliona! E ndiej. Sepse, asnjehere nuk i bindem verberisht te njejtes rruge ne nje kryqezim. Madje kryqezimi te ish me mijera rruge, une do ti deshiroja te njemijta. Ndaj e di qe nuk jam nje vete, jam shume vete, shume mendime, shume ndjenja.

E kuptoj qe ankohem me shume seç duhet. E kuptoj qe gjerat shpesh here nuk jane aq tragjike sa une i bej, ashtu si kuptoj qe nuk jane edhe aq te thjeshta sa thone te tjeret. E marre vesh, se ne fund te tunelit gjithmone do kete nje drite dhe jam e vetedijshme qe do luftoj papushim te arrij deri aty...

Dhe prap merzitem !


... E di, dhe qe jam budallaqe, e di.

Po te pres

Po te pres...

Dhe ty as ne mendje nuk te shkon se cfare do te thote te presesh per ty! Sepse po te te shkonte ne mendje (qoftepak) nuk do te me lije kurre te prisja.
Gjate gjithe kesaj dite, kur dua te marr prej teje nje shenje qe cdo gje e jotja shkon sic duhet, pikerisht sot, ndodh kryekeput e kunderta.

Dhe ty as ne mendje nuk te shkon se cfare do te thote te presesh per ty! Qe me shume se pritje, eshte humbje durimi, humbje deshire, mijera mallkime te pandjera por qe te clirojne merzine. Por, me te shumta jane mallkimet per veten, qe kurre nuk u mesova nga moskokeçarja jote, nga indiferenca e ftohtesia dhe kjo dreq shprese e genjeshtert se nje dite ti do te zgjohesh nga gjumi dhe ti kuptosh si me magji te gjitha. Ti nuk e kupton se sa lutje cohen dem, vetem e vetem qe here tjeter te mos te me lesh ne pritje, qe te jesh aty me shume se cdo njeri i botes. Nuk e kupton, jo! Ti nuk e kupton qe pritja jote, eshte me e keqe se rradhet e gjata neper sportele, me e hidhet se pritja per marrjen e rroges, me emocionuese se pritja neper aeroporte, me e dhimbshme sesa pritja e nje goli fitoreje ne sekondat e fundit te ndeshjes...

E ke provuar ndonjehere kete ndjenje? Ndjenjen e pritjes tende? Qe te largon me kalimin e kohes deshiren per tu qetesuar, per te lexuar, per te ngrene...madje tani, ne funddite, edhe deshiren per te degjuar nje ze tjeter qe nuk eshte i joti.

Sigurisht qe s’duhet ta kesh provuar, madje as neper mendje nuk te shkon (qoftepak) se cfare do te thote te presesh per ty. Duke u lutur qe te kujtohesh te pergjigjesh, te me shkruash ose te me flasesh, sepse ti je mire…ti duhet te jesh mire!!!

Sunday, February 3, 2013

Ai

Ai ishte ndryshe kesaj rradhe. Nuk ndiej me aq i forte, per me teper nuk arrinte te besonte se si kishte arritur deri ketu. Ai ishte vertete ndryshe kesaj rradhe.

Sepse ajo, i kish ardhur ne jete aq tinezisht, aq cuditshem, saqe e fundit gje qe i kish shkuar ne mendje ishte qe ajo ti sillte ndryshime.

Prej saj ai pakuptuar kishte kohe qe pamjes i jepte me shume rendesi sec duhet. Tashme koha qe rrinte para pasqyres, ishte shume here me e gjate se me perpara. Madje kishte here qe kur zgjohej vone, nuk shikohej fare ne te. Kurse tani, preferonte me mire te mos hante mengjesin, edhe kohen e fituar, ta shpenzonte mbi vete. (Thua se kishte aq shume gjera per te bere, po gjithsesi, e bente te ndihej me mire)

Pastaj kur vinte puna qe te rregullonte floket...Edhe kjo kishte nje tjeter kohe te shpenzuar vecanerisht. Perseri, pavetedije mundohej te kuronte pamjen e tij. Edhe pse perpiqej qe floket ti ngjanin sa me natyrshem, ngahera bindej se te kthyera nga e majta I jepnin nje tjeter hije. Zgjedhja e kemishes, dreqin! Edhe ajo I harxhonte kohe! A thua te veshe kete te erreten qe I jep nje pamje prej te rrituri e seriozi? Apo mos valle asaj do I pelqente kjo e hapura qe I jepte pamje me feminore?

Se fundmi, pasi I pelqente sadopak figura e marre, nisej (pa harruar ketu te hedhe parfumin). Gjithmone mendonte se aroma e tij e bente te vecante. (Edhe kemisha, edhe modeli I flokeve…)

Nuk arrinte te pertypte mendimin qe te gjitha keto, nuk I bente pa arsye! Donte te bindej per te kunderten, por ishte e kote, sepse sa here qe largohej nga shtepia, perceptonte ne rruge se si do te sillej kur ta takonte! Cilen nga buzeqeshjet do te perdorte? (Apo kur e shihte, kishte nje tjeter buzeqeshje???) Madje, mendonte edhe se cfare do ti fliste…sigurisht gjithmone nqs do te mundej.

Gjithe para-mengjesi, edhe rruga I kalonte me te ne mendje. Here here edhe duke kritikuar veten, here here edhe duke u habitur per sjelljen e tij, here here edhe duke u shqetesuar per modelin e flokeve (!).

Ajo padyshim qe I kish ardhur cuditerisht ne jete. Atehere kur me pak priste qe dikush ti shfaqej ne te atille menyre. I kish shkaterruar cdo rregull ditor, I kish shkaterruar mendimet, veset, metabolizmin, madje edhe gjumin e nates ndonjehere. Ajo I kish sjelle ne jete aq shume ndryshime ne kaq pak kohe, saqe ai mendonte se me raste ajo po e ndryshonte, po e nxirrte nga vetja, ose po e njihte me nje vete te re, qe me pare ndoshta se kish njohur.

I kish bere kaq shume gjera, e te tera keto pa vetedije, ashtu fshehurazi, ashtu aventurisht, cuditerisht sic I ishte shfaqur. Por ajo qe e bente ate te vuante ne rrugen e mengjesit, pervec shpreses se kote qe do te vihej re, ishte fakti se nuk e dinte nqs edhe ajo rrinte para pasqyres, zgjidhte rrobat, ecte mengjeseve duke menduar per te…

Wednesday, January 30, 2013

Sa shume shpesh te kam folur kohet e fundit



Te kam folur per te te kerkuar te me zgjosh pak me heret qe te mund te mesoj kesaj here. Te kam kerkuar te mos me shpiesh ne tundim per te harxhuar panevojshem sepse ne te njejten kohe te kam kerkuar qe edhe te blej ate fustanin qe kam pare disa jave me pare, te dyqani i ri qe eshte hapur ne cep te rruges. Te kam folur per veten time shume gjera, sepse e di qe te flasesh me Ty eshte si te flasesh me veten. Kjo e fundit jo se te ndihmon Ty te me kuptosh mua me shume, se supozohet te me njohesh me mire, por qe te me ndihmosh te kuptoj une veten time, se kjo eshte ajo qe me nevojitet mua ... Besome! (Besome?)

Ti ke qene gjithmone Ai qe i ke ditur gjerat shume mire, dhe supozohet ti kuptosh me shume se mua ( kjo eshte e vertete per kedo, ne fakt, se spo e kuptoj veten keto kohe )... Por Ti, supozohet te dish shume gjera, per te cilat harron shpesh here qe dua pergjigje dhe kam nevoje ti di! Dhe, te lutem kuptoje qe nuk e quaj parapritje nga ana Jote kur me dergon ndonje sinjal brenda meje qe çka po bej nuk eshte fort mire... E para, sepse Ti e di shume mire, qe nuk kam per te te degjuar momentin e fundit. Dhe e dyta, se e ngaterroj shpesh here ate dhimbjen e stomakut me ndjenje urie ... ose dua ta konsideroj si ndjenje urie, qe na çon perseri te arsyeja e pare.

Sa shume shpesh te kam folur kohet e fundit,
aq sa e kam lene pas dore me shume veten time, duke u munduar te kuptoj ate gje prej te ciles pres nga Ty nje ndihme te madhe. E ke vene re? S'po ia dal dot e vetme. Madje, jam duke i bere punet shume lemsh, sa qe nuk po ndiej se ka nje dalje te shpejte prej ketu ku jam futur. Te lutem, me nxirr prej ketej!!! Sepse, sado qe une te kem per Ty ato dyshimet e mia (te medha e te vogla), ne qofte se je "aty", duhet ta dish se ne fund te dites...
atehere kur une e di qe asgje nga ç'kam bere nuk ia vleu (perseri), do te kerkoj ndihmen tende.

Ndihme, per te me shpetuar nga vetja ime, per te me qetesuar e te me bere te ndiej se shume shpejt do vije fundi i kesaj amullie (se e di qe do i vije fundi, por kur?).

Tani po largohem te ha dicka, se po me dhemb stomaku...

Thursday, January 24, 2013

...çmendurisht...

Une te dua çmendurisht,
sepse te çmendurit thjesht duan! Duan pa interes, pa kokeçarje, pa pritje te medha. Te çmendurit thjesht duan, papushim, çdo moment, me gjithe shpirt dhe me gjithe mendje, te duan siç je ose me sakt, te duan siç te shohin.

Te dua çmendurisht,
sepse te dashurit çmendurisht do te thote qe te duash pa arsye. Dhe une keshtu te dua, pa ndonje arsye te veçante, pa ndonje kerkese te veçante, te dua aq sa nuk arrij te te shikoj gabimet, sa nuk arrij te te dalloj te metat... Te dua çmendurisht!

Sepse te dua pa mase, pa kufij! Nuk i kam vene asnje limit perzemersise tende, ashtu si te çmendurit nuk i vene limit imagjinates. As kesaj te fundit nuk i ve limit, kur me ndodh te mendoj per ty. Te dua çmendurisht çuditshem...

Dhe te thuash qe te dua keshtu, nuk tingellon fort bukur, e di! Por, tani e kam kuptuar se "çmedurisht" eshte fjala me e mire qe mund te pershkruaje kete lloj dashurie/marrezie. Se e dalloj qe te dashurit ne kete forme me shume se sa menyra e dashurise qe ndiej duke te patur ty, eshte menyra e dashurise qe ndiej po qe se nuk te kam.

Cmendurisht, sepse pa ty, e di qe çmendem!

Wednesday, January 23, 2013

Endrrat e nates

Kisha gjithe kohes qe po shikoja te njejten pamje. Cdo nate e njejta gje. Kishin filluar te me bezdisnin te njejtat fytyra, te njejtat ambjente. Dreqin, mos po filloj te rritem? Ajo qe kam dashur me shume te vetja eshte pikerisht shpriti feminor, qe shperthente ndonjehere tek-tuk ne kundershti me strukturen time fizike. Per qejf e per shaka edhe flisja si ndonje 5-vjecare e perkedhelur, por asnjehere nuk me kish ndodhur te merzitesha kaq shume nga te njejtat pamje! Kjo padyshim duhet te ishte shenje e diçkaje qe nuk po shkonte ne rrjedhen e saj te zakonshme.

Por sinqerisht qe filluan te me hiqnin pak nga pak gezimin, ato gjera, ato ndjesi qe me perpara me vinin ne mendime, me gezonin, me dukeshin aq te verteta, aq te gjata dhe ngadonjehere te frikshme. Kjo e fundit harrohej me shpesh se ato kujtimet e bukura, apo ndjesite e kendshme qe me ndodhte te mbaja mend. Dhe e kam menduar ngahera, qe une edhe pse kurre nuk e kisha provuar alkolin me teperi, e kam ndiere gjithmone ndjesine e tij, pikerisht mengjeseve, kur me ndodh te harroj shumicen e gjerave te para. Te vjen inat me veten, se kur thuhen momente dehese, supozohet te jene momente qe njeriu duhet ti mbaje mend, dreqi ta haje!

E pata degjuar disa here tim ate, kohe me pare qe thosh se edhe ai kishte pare disa here rresht te njejtat situata, derisa i kish ardhur koha qe, pa e çare shume koken te kuptonte se ç'ishin, kish vazhduar diten e tij. E çuditshme shume! Une gjithmone e vras mendjen perse ndodhen gjerat ashtu si ndodhen, ne mos perpiqem te kuptoj te ardhmen, siç disa bejne, te pakten perpiqem te kuptoj ndjenjat e mia (disi). Prandaj te gjitha keto sekonda e sekuenca te shkurtra qe thone se jane (ndersa une do betohesha qe jane shume me shume se aq, me raste nje nate e tere), kane patur nje rendesi te caktuar per mua. I merrja seriozisht, vetekuptohet sa mund te marresh seriozisht raste te tilla. Mendoja qe ndjesi te ketij lloji, e marrin shkasen nga diçka (me e vogla e mundshme) nje shkendije e brendshme çmendurie. Por, betohem, qe per mua jane te rendesishme.

Jane te rendesishme mjaftueshem sa te me bejne te rend pas fytyrave te njejta qe kam pare ne to, thjesht nga kurioziteti. Te rendesishme, per te me bere te kuptoj se cfare dua vertete. Te rendesishme aq sa ne diten time, mendimi per keto sekuenca, dikur e ka patur rendesine e vet. Ndersa tani...

Tani me ndodh ti largoj nga mendja sa te hap syte
"- O ma, sa eshte ora?
- Obobo dreqin, me vajti vone edhe sot."

(pavaresisht se mundohem ti zgjas pafund, sa te mundem)
Sepse askush, asnjehere, nuk eshte kurre i madh mjaftueshem per ti lene menjane endrrat e nates!

Thursday, January 17, 2013

E dua dashurine ...

E dua dashurine te jete e qeshur, e dua te jete e lumtur. E dua dashurine me duar te medha (qe te te perqafoje fort ose te mund te te kape fuqishem kur je duke rene) ose te jete me duar te nxehta, qe t'u fale ngrohtesi gishtave te mi te akullta sa here te jene te takuar.

E dua dashurine te gjendshme, qe te jete aty duke degjuar cfaredolloj fjalimi te pakuptimte timin. E dua te jete e bute, qe te me kritikoje sa here qe tregohem e padrejte me veten. E dua te jete e eger, qe te me flase e bertase kur e kam gabim dhe e dua te mos largohet, sa here qe do zgjedh qe te mos i flas per cfaredolloj arsyeje. E dua dashurine te duruar, qe te dije te duroje durimin tim dhe e dua gazmore, qe te dije te nxitoje cdo ndjenje te mire qe mblidhet brenda dites.

E dua dashurine egoiste sepse e dua te gjithen per veten, me veten dhe e dua ta gjej sa here qe ta kerkoj. E dua dashurine te larte, shume te larte, qe te me ngreje me kujdes drejt qiellit te saj, por e dua te ulet mjaftueshem qe te me sjelle perseri me kembe ne toke.

E dua dashurine, e dua shume, edhe pa e njohur! E dua pa ia pare ndonjehere fytyren, pa ia ndiere ndonjehere aromen, pa e provuar, e dua ashtu si eshte. Sepse une e dua dashurine qe ti besoj, e dua qe ta le te lire dhe ta di qe do vije, qe ti afrohem dhe ta di qe nuk do iki. E dua dashurine, vetem njehere! E dua dashurine per gjithe jeten, dhe me gjasa jam stil-i-vjeter por e dua dashurine, per ngahera.

E dua dashurine te kujdesshme, qe te mos e tregoje veten gjithmone e ne cdo vend, por pak here edhe aty ku duhet. Te tille e dua, te fshehur per boten, por gjithe bota per mua! E dua dashurine ndryshe, sepse çdo dashuri duhet ndryshe, dhe e dua te merzitet kur ajo qe deshironte nuk mundi te realizohej, por e dua luftetare te fuqishme qe ta beje pamunduren e saj te mundur.

I dua dashurise sy te bukur, qe te dije te shikoje te kjo jete vetem te mira. Dhe e dua qe te kuptoje qe ne shikimin tim ai eshte me e mira e mundshme, dhe syte e tij jane me te bukurit ne bote! E dua dashurine te dije qe nuk mjaftojne fjalet me shume se shikimi, dhe as puthja me shume se shtrengimi i duarve. I kerkoj dashurise ta kuptoje!

Ta kuptoje qe me shume se rrethanat, une zgjodha ate. Se kam zgjedhur ate, para se gjithash, per gjithe jeten, gjate gjithe jetes!!! Dhe e kam dashur para se ta njihja, para se ti dija emrin, dhe jam pergatitur çdo dite per ta dashur ndoshta (jo) çmendurisht, por sipas menyres sime. Sepse e dua dashurine edhe me floke te bardha per aq kohe sa shikimi dhe duart tona jane te ngrohta!

Wednesday, January 16, 2013

Ne pritje te zerit tend

E kap telefonin edhe e hap. Formoj pavetedijshem (madje edhe me sy mbyllur mund ta bej) numrin tend. Kjo ndodh sepse tani aq mire eshte mesuar ai numer saqe gjithmone mendoj se kursej nje sasi te konsiderueshme kohe keshtu, sesa te kerkoj emrin tend ne numratorin e telefonit.

Duke formuar numrin ngadonjehere mendoj se edhe vete celulari e di aq mire sa po te ndodhe (qe rralle ndodh) qe te ngaterroj aty per aty ndonje shifer, ekrani paralajmeron, ndryshon formen, jep "ze" qe une ta kuptoj.

Pasi ne nje kohe, shume me te shkurter nga sa e kam lartpershkruar, shtyp butonin dhe perhere e vazhdimisht e pres me nje ankth te madh te bjere zilja. Madje nganjehere mendoj se e dua me shume tingullin e ziles sesa tingullin tend.

Zilja e pare...ku une te le kohe sa ta ndiesh levizjen e telefonit brenda xhepit, sa mundimshem te kerkosh ne te kur te ndodh te kesh veshur pantallona jo shume te lirshme, mbaron.

Zilja e dyte... ku une pres me padurim qe ti te me pergjigjesh nga ana tjeter e telefonit, e nderkohe perceptoj pershendetjen me te ngrohte te mundshme me te cilen te te pres.

Zilja e trete...kalon duke t'u lutur nga ana tjeter me dhjetra here qe te me pergjigjesh apo te me japesh nje reagim te cfaredollojshem, vec te me tregosh qe je aty.

Zilja e katert...iken me dilemen qe ta lejoj apo jo te ndodhe zilen e rradhes, pasi kete here une vertet mendoj se ti ndoshta duhet te jesh i zene me ndonje tjeter pune. Gjithsesi nuk arrij ta kaperdij kurre mendimin dhe mosreagimin tend duke (te pakten) me mbyllur telefonin.

Zilja e peste...eshte e sigurte qe do te vazhdoje nqs nuk kam vendosur qe tia shkurtoj jeten ziles paraardhese. Kjo zile permban brenda ate shpresen e fundit qe gjithsesi ti do te pergjigjesh. Sidoqofte zilja e peste ka bere qe te me humbi qofte entuziazmi, qofte edhe deshira e formimit te numrit. Per me teper, zilja e peste ma shton shumefish merzine, mallin, merakosjen, deshiren per te te degjuar zerin, inatin, mosqetesine, rrahjet e zemres, presionin e gjakut...

Pas ziles se peste ndodh qe te me nderpritet vetvetiu telefonata, per shkak te mospergjigjes tende. E ketu, eshte kulmi im i pikellimit. E mbyll telefonin, e flak tej, dhe nese goje do te kishte kushedi se sa shume here do ankohej per lendimet e marra.

Pas ketyre thirrjeve te pashpresa une e ndiej te humbur ekuilibrin tim biologjik, fizik, psikologjik. E humb krejt qetesine time shpirterore edhe merakosem aq shume sa qe mund te mendoj mijera gjera:

-Mos valle eshte tjeterkund dhe te pergjigjet nuk mundet?
-Mos valle eshte me tjeterkend?
-Te jete semure edhe te mos kete fuqi te pergjigjet?
-Mos e cileson kete si me te miren menyre per te me keshilluar qe te rresht se e kerkuari aq shpesh?
-Po sikur papritur ti kete ndaluar frymemarrja?

E ne kohen qe perpiqem ta coj mendjen tjeterkund, e te pushoj se menduari, nuk mundem! E pres me padurim qe ti te me marresh mbrapsht, e te me pergjigjesh me mosperfilljen me te madhe ndaj gjithe shqetesimeve te mia. Te me flasesh, e te me besh ti harroj te gjitha!

Habitshem se si ne ato pak sekonda qe une perpiqem te te kontaktoj, me vene neper mend gjithe ato gjera. Madje betohem se ndonje dite do te ta punoj me po te njejtin rreng, ndonje dite...!
Dhe nese ti, sic ben shpesh te ndodh qe ta harrosh thirrjen time, mua me duhet te pres nje nate pambarimisht te gjate, duke vuajtur nga ideja se TI KE VDEKUR!!!

Kur fjalet behen te panevojshme

Ishiin ulur te dy aq prane sa ajo nuk dinte, a te gezohej apo te shqetesohej nga ky fakt. Ai sakaq ndihej i trullosur nga pamja aq e afert e fytyres se saj dhe nga afshi i nxehte i aromes se lule jasemines. E dinin qe te dy se cfare nuk duhet te benin, po aq mire sa dhe dinin se sa shume e deshironin qe te dy ate qe ishte ne prag-ndodhjeje. Nuk po i bezdiste aspak vapa mbytese e veres, aq me pak zhurmat apo piskamat e qeshura te tavolines se grupit te atyre shokeve qe i kishin diku ngjitur, apo ajo muzika e zhurmshme te cilen ai sado qe mundohej ta kujtonte...nuk mundte. Ate madje s'po e bezdiste as tymi i cigares se tij, qe aq shume here i ishte lutur ta pakesonte! E veshtroi ngulmtazi! Po fillonte te shkrumbohej pak nga pak dhe aty e kuptoi se kishin qe te dy pak kohe qe po rrinin heshtur. Thuaj se atij i kishin mbaruar te gjitha bisedat. Sepse, faktikisht kur u ndodhte ndonje situate e ngjashme, ajo, si ato cupelinat e perkedhelura, i thoshte se kinse i duhej te larhohej, ndaj papritur ai shpikte njemije e nje budallalleqe te embla qe ta bindte te qendronte edhe pak! Kjo gje mund te perseritej dy here maksimumi, se me pas ajo tregohej e forte edhe e palekundur ne vendimin e largimit. Dhe ashtu ndodhte. Kurse sot, dhe pse pavetedijshem ata kaluan ca kohe pa folur, ajo nuk po ikte. Ndersa ai, nuk po sillte ndermend ndonje budallallek te atyre llojeve qe tia rikthene buzeqeshjen apo t'ia zhdukte ate pamjen qe hutim, a cfare dreqin ishte, ne fytyren e saj ?! E vendosi...
Sidoqofte, do dinte se si sinqerisht t'i sqarohej me pas. E vendosi...
Iu afrua edhe paaak, shume pak, aq sa te ndiente prej saj ndonje lloj reagimi (qe rrinte si e ngrire). Aq afer tani sa, ajo mund t'ia ndiente tani frymemarrjen e perziere me ate aromen e tymit te duhanit qe s'po i bente me pershtypje. Ai nderkohe po ndiente frymen e saj te ngrohte edhe te crregullt, qe e habiti ne te vertete (por nuk e dha veten), dhe ajo dreq arome jasemini qe po ia cante hundet!!!
Pernjeherazi mbyllen te dy syte, teksa buzet po iu afroheshin gjithe frike, qe sa vinte dhe shnderrohej ne nje turbullire, ne nje boshllek mendimesh, ne nje qetesi te zhurmave, ne nje bote te te dyve, ne nje cmenduri rrahje zemrash, ne perflakje te fytyres... Vertete ndodhi te ishte qetesi aq e madhe, sikur dhe ne kinema? Dhe ai grupi i shokeve ne krah, dhe ata te moshuarit, dhe ato tavolinat e para plot njerez mezi c'e prisnin puthjen e tyre?!
Ai i vendosi doren diku poshte bluzes se holle qe ajo kish veshur, dhe papritur nje dritherime qe nuk e kuptoi a i erdhi nga ato pak caste apo nga kontakti me doren e tij te ftohte... u largua! Kur pernjemend u rikthyen zhurmat, tymi i duhanit, muzika e zhurmshme, drita e zbehte e lokalit dhe diku ne cep te buzeve te saj nje buzeqeshje e turpshme dhe e pafajshme. ( Ai po ashtu )
Me sy qe i shkelqenin dhe me mendimin e bukur se ia kish rikthyer edhe njehere qeshjen ne fytyre, po e shikonte si i dehur. Pastaj nuk iu permbajt me tundimit apo lumturise dhe e perqafoi.