Saturday, September 7, 2019

Mirënjohje, të panjohurit

Njeri, që kurrë më parë nuk të njihja, që kurrë më parë s'të kisha takuar (në këtë botë). Ty, që kurrë më parë nuk ta dija formën, as zërin e as fuqinë që ndoshta të karakterizon.

Unë, që kurrë më parë s'e njihja qënien tënde, që s'ta kisha ndjerë praninë dhe s'isha rrethuar nga energjia jote... Sot, të takova!

Të takova në një kohë kur ti ke pasur mundësinë për të qenë kalimtar i shumë jetëve të tjera, jetë shumëngjyrëshe, përpara se të ndaloje kaq hijshëm tek imja. Të njoha sot, për dy minutat e para dhe mbase të fundit të jetës sime. Dy ndër më të bukurave minuta, ku ti zgjate dorën dhe formove fjalë që më prekën shpirtin.

Faleminderit! Dhe e bekuar qoftë ekzistenca jote, që mundi t'i shtonte pavetëdijshëm lumturi simes.