Wednesday, December 1, 2021

Pak më shumë xhan

Ka një hapësirë midis nesh,
Të cilën unë e mbush me shkronjat e tua,
Me fjalët e formuara prej mëngjesit në darkë
E prej darkës me ëndrra ta kaloj, dua.
 
Ka një hapësirë, e cila mbushet
Me qetësinë që zemrës sime i fal.
Një hapësirë, që sa herë të shoh fytyrën,
Apo sa herë të prek e të ndiej pranë, ndal.
 
Ndaj, derisa të rresht së ekzistuari hapësira,
Që fizikisht të dyve pak më larg na mban,
Une i kujtoj vetes sa e lumtur jam, prej teje
Dhe e zbeh largësinë, duke të patur pak më shumë xhan. 

Ngjyrat

Ti vjen te unë si një telajo,

Plot ngjyra që më parë s'kisha shquar

Kur unë kam krijuar një pikturë tjetër,

Me ngjyra të tjera zhgarravitur a miksuar


Dhe m'u vendose para syve kaq hijshëm

E të shijova në heshtje kaq habitur

Nuk e dija që bluja dhe e bardha e dikujt

Do ngjanin kaq bukur me tjetrën ngjitur.


Nuk dija, se e e verdha dhe e zeza ime

Këto ngjyrat e tua kaq shumë do donin

dhe jo për t'u kthyer në jeshile as në gri

Por në krah të njëra-tjetrës të qëndronin


Dhe kur t'i shohin të tjerët vendosur në mur

Të kuptojnë se sa shumë u dëshiruan

Këto piktura që duken kaq bukur përbri

Këto piktura që për tjetrën, veten s'e ndryshuan.

(por plotësuan)