Tuesday, January 3, 2017

Të duash ty

Të të duash ty, është një ves dhe veset nuk kanë qenë asnjëherë veprime për t'u përgëzuar. Të të duash ty është një ves i pakuptuar, i pashpjeguar. E di se kur fillon por s'e di se pse. E di që të bën keq por s'e di se çfarë. Të të doje ty, kështu nisi; si hera e parë që mban midis gishtash një cigare, hera e parë që kalon tymin në mushkëri. Fillimisht të djeg fytin dhe vazhdon te kollitesh dhe pasi mbaron së djeguri, te paralizon. Të të doje ty, ishte kështu! Të paralizoheshe totalisht pa qenë e aftë të lëvizësh apo të mendosh për pak. Të vazhdoje së dashuri ishte akoma më e mundimshme, sepse gjithkund kërkon nevojën për t'u mpirë...por të vazhdoje të të doje do të thosh të ish e pamundur gjithashtu të të lije. Se tymi ngjitej ngado, aroma mbetej e mbështjellë në lëkurë, nëpër duar, shija në goje dhe ti vazhdimisht kërkon që të mpihesh!
Të kem dashur ty padyshim që më ka ndryshuar jetën, më ka trashur zërin, më ka dhuruar moskokëçarje, më ka thyer parime, me ka zverdhur dhëmbët... Kudo tashme gjendesh ti! Prandaj dhe unë, e mbaj gjithsesi në çantë paketën e cigares duke u munduar të kujtoj se çdo të thoshte TË TË DOJE.