Wednesday, August 24, 2022

Ditar

 Dëgjova, ca më parë, në internet, një fjalim të shkurtër motivues (për të cilat ndonjëherë e tall me shaka veten). Dhe këshillonte, zotëria që fliste, të nxiteshim të tregonim më shumë nga vetja jonë, nga çfarë kemi jetuar, nga çfarë mendojmë, nga çfarë na mbush zemrën e na bën të lumtur, a nga çfarë na bën të ndihemi më shumë të gjallë. Vetëm kështu (sipas tij), do të mund të njihemi dhe përballemi me pjesët tona më të brishta, e sidomos me ato më artistiket.

Vazhdova të mendoja pak më gjatë sesa thjeshtësia dhe bukuria që përdori për të shpjeguar, se si duke treguar ca nga vetja, do të na ndihmonte më shumë për ta kuptuar realisht atë. Përse të gënjej kot, e të them që nuk më preku? Ishte kryekëput e kundërta. 

Ishte për mua aq frymëzuese ta dëgjoja, sa që nxitimthi ndërpreva çfarëdolloj pune që kisha në dorë, për t'i dhënë kohën e duhur UNIT tim (aspak më vonë se tani), që të më fliste. E sakaq ta dëgjoja se ç'kishte për t'i thënë anës tjetër të tij.

Kështu, nisi të krijohej kjo ligjëratë, pikërisht kjo, që po lexon (e të cilës dëshiroj t'i rikthehem vazhdimisht për ta kujtuar)... 

Dhe kuptova, se gjithçka dëshiroj të tregoj, je Ti!

Ti.

Sunday, May 8, 2022

Si është e mundur?

Si është e mundur, që koha që zgjatet për t'u afruar te ty, është kaq e mundimshme, krahasuar me kohën që fluturon sa hap e mbyll sytë, kur të kam pranë? 

Si është e mundur, që duart e mia e kanë mësuar ndjesinë e lekurës tënde dhe majat e gishtave ta njohin aq mirë portretin e fytyrës, milimetër për milimetër? 

Si është e mundur, që buzet e mia e kërkojnë shijen tënde dhe aroma që ndiej sa herë që pushtohem nga krahët e tua, më thërret gjithmonë e më shumë me tinguj shtëpie? 

Si është e mundur, që edhe pse ndodhesh kaq shumë larg mureve të mia, mua më lind gjithmonë në shpirt dëshira  që të të rrëmbej nga vendet ku ti je e të të vendos rreth perimetrit tim? 

Më shpjego të lutem, si ka mundësi, kur edhe pse të ndiej si pjesë të pandashme timen, në të njejten kohë për ty ndiej kaq shumë mall? 

Si mundet?